Udhëheqësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se mbi 300.000 qytetarë të Kosovës do të përfitojnë nga iniciativa e Bashkimit Evropian për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor me vaksinën kundër Covid-19.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Twitter nga Szunyog.
“Falë kontributit të Bashkimit Evropian për vaksinën e COVID-19, Kosova do të përfitojë vaksina falas për më shumë se 300.000 persona”, shkruan ai në Twitter.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë premtuar se BE-ja do të ketë si prioritet që t’u ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimor me vaksinën kundër Covid-19.
“Ne kujdesemi edhe për fqinjët tanë. Bashkimi Evropian do të koordinojë donacionet e vaksinës nga shtetet anëtare, posaçërisht për mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë në Ballkanin Perëndimore dhe fqinjësi”, ka thënë Von der Leyen, duke folur pas samitit të fundit të BE-së, ku përgatitjet për vaksinim ishin ndër temat kryesore.
Ministri i Shëndetësisë gjatë të martës ka folur edhe lidhur me vaksinën anti-Covid.
Ai bëri të ditur se më 7 dhjetor ka nënshkruar aplikimin për vaksinë, ndërsa njoftoi se Kosova është në mesin e 92 vendeve, ku 20% të vaksinës do ta ketë falas, përcjell Periskopi.
“…Synimi është imunizimi i atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë ai.




















