Kanë përfunduar me sukses punimet e konferencës dyditore në kuadër të Javës së Gruas 2020, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demoktratik (NDI), mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Mbi 120 pjesëmarrës ishin pjesë e Javës së Gruas 2020, ku u mbajtën dhjetë sesione diskutuese me tema të ndryshme, nën moton e përgjithshme “Ta ndryshojmë fytyën e politikës: Koha është tani!”.
Alia El-Yassir, Drejtore Rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore në UN Women, tha se arritja e barazisë gjinore në pjesëmarrjen politike është vlerë e natyrshme dhe instrumentale.
Gjatë ditës së sotme u diskutua lidhur me zhvillimin e politikave për menaxhimin e pandemisë dhe pasojave të saj, njëkohësisht për përfshirjen e grave në vendimmarrje, me kryeministrin e vendit Avdullah Hotin.
Kryeministri përmendi Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro dhe theksoi se duhet të parandalohet dalja e bizneseve nga tregu, ngase sipas tij kushton më shumë se sa kthimi i tyre në treg. Hoti gjithashtu tha se gratë janë prekur më shumë se se burrat nga pasojat e pandemisë Covid-19, përderisa foli edhe për pozicionin e tyre në shoqërinë kosovare.

“E vetmja mënyrë për t’i fuqizuar gratë në shoqëri është përmes fuqizimit ekonomik dhe arsimor”.
Sa i përket zhvillimeve politike në vend, Hoti pohoi se duhet të ketë konsensus për zgjedhjen e presidentit dhe se nuk ka vullnet për këtë, atëherë do të bisedohet për datën e zgjedhjeve, raporton Insajderi.
Java e Gruas është ngjarje vjetore e organizuar në nivel nacional, e vendosur në një mjedis multietnik që bashkon më shumë së 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe nga akademia me qëllim të ngritjes së kapaciteteve ekzistuese të grave lidere që të synojnë pozita më të larta udhëheqëse.