Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë turke dhe atë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 14 dhjetor.
14 dhjetor 1799 – Vdiq në moshën 67-vjeçare lideri themelues dhe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Washington. Ai i tregoi aftësitë e tij drejtuese në Luftën Amerikane për Pavarësi.
14 dhjetor 1911 – Roald Amundsen, eksplorues norvegjez i njohur gjerësisht me nofkën “Vikingu”, përshkoi me sukses Kalimin Veriperëndimor dhe mbërriti në pikën zero të Polit të Jugut. Ai gjithashtu ishte njeriu i parë që shkoi në të dyja zonat polare.
14 dhjetor 1935 – Bota e futbollit shënoi një ngjarje historike. Aston Villa u mposht nga Arsenali me rezultatin e thellë 7-1. Në këtë sfidë të paharrueshme ndërmjet dy klubeve britanike, të 7 golat e “Topçinjve” u shënuan nga Ted Drake.
14 dhjetor 1953 – Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë miratoi ligjin që parashikonte transferimin e pasurive të Partisë Popullore Republikane (CHP), përfshi këtu edhe aksionet e Bankës së Biznesit (İş Bankası), te Thesari i Shtetit. Për shkak të kushtit të Ministrisë së Financave për transferimin e tyre deri më datë 29 dhjetor, gazetat “Ulus” e “Son Havadis” dhe revista “Karagöz” publikuan numrat e tyre të fundit.
14 dhjetor 1954 – Problemi i Qipros u ngrit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ambasadori Selim Sarper, asokohe përfaqësues i përhershëm i Turqisë në OKB, qëndrimin e Ankarasë kundër iluzionit “Enosis” e shpalosi me këto fjalë: “Qiproja është vetëm 40 milje larg brigjeve turke, kurse distanca e tij nga Greqia është 600 milje. Ky ishull nuk mund t’i përkasë Greqisë.”
14 dhjetor 1960 – Një anije naftëmbajtëse greke dhe një tjetër jugosllave u përplasën në ngushticën e Bosforit, në Stamboll. Cisternat jashtë kontrollit shkaktuan edhe djegien e anijes së pasagjerëve “Tarsus”. Aksidenti u mori jetën 52 personave, ndërsa nafta dhe vajguri i derdhur në det u dogjën për 52 ditë radhazi.
14 dhjetor 1960 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Turqia, 9 shtete anëtare të Komunitetit Ekonomik Evropian dhe 7 shtete anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë nënshkruan Konventën e Parisit për themelimin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
14 dhjetor 1981 – Qeveria e Izraelit njoftoi aneksimin e Lartësive të Golanit, të njohura ndërkombëtarisht si territore siriane të okupuara nga Izraeli në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967. Parlamenti izraelit e miratoi këtë vendim të jashtëligjshëm të njëjtën ditë.
14 dhjetor 1989 – Andrei Sakharov, fizikan bërthamor i njohur sovjetik dhe laureat i Çmimit Nobel për Paqe (1975), i cili u ngrit kundër Kremlinit në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirisë politike, vdiq në moshën 67-vjeçare.
14 dhjetor 1995 – Alija Izetbegoviç, Sllobodan Millosheviq dhe Franjo Tuxhman nënshkruan Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës civile 3-vjeçare në Jugosllavi dhe solli paqen në Bosnjë-Hercegovinë.
14 dhjetor 2005 – Shkrimtari amerikan, Rodney William Whitaker, i njohur gjerësisht me emrin e tij artistik “Trevanian”, u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare. Ai mori famë botërore me vepra si “Shibumi” dhe “Vera e Katias”.