Nga muaji mars e deri më tani, në Kosovë janë shënuar 46.118 raste pozitive me koronavirus. për rreth tetë muaj, si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 1.186 persona, ndërkaq janë shëruar 33.064.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të shtunën ka përditësuar të dhënat rreth gjendjes me koronavirus në vend.
Në 24 orët e fundit u raportua se janë shënuar 524 raste pozitive, janë shëruar 566 persona ndërkaq kanë vdekur 12 të tjerë.
Për rreth tetë muaj, në Kosovë janë testuar 161 mijë e 907 mostra të dyshimta, nga të cilat, 46.118 kanë rezultuar pozitive.
Deri më tani janë shëruar 33.64 persona, ndërkaq numri i të vdekurve ka shkuar në 1.186.
Numri i rasteve pozitive aktive në Kosovë të shtunën ka shkuar në 11.868.
“Numri total i rasteve pozitive është 46.118 raste nga 161.907 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.186 raste të vdekjes… Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 566 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 33.064 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.868”, bëhet e ditur në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Komuna me më së shumti raste pozitive vazhdon të jetë Prishtina. Në kryeqytet të shtunën u konfirmuan edhe 198 raste të reja me koronavirus. Kjo bën që Prishtina të vazhdojë të qëndrojë në zonën e kuqe (atë të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së koronavirusit).
Ndërkaq, përveç Prishtinës, në zonën e kuqe janë edhe 15 komuna tjera, derisa para dy ditësh, komunat si: Vushtrria, Shtimja, Peja, Ferizaj , Vitia dhe Skenderaj, kanë dalë nga zona e kuqe, shkruan Express.
Në zonën e verdhë (të rrezikut të mesëm të përhapjes së koronavirusit) janë nëntë komuna, ndërkaq në atë të gjelbër (rrezik i ulët i përhapjes së koronavirusit) janë trembëdhjetë komuna