Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon i ka treguar një qëndrim të qartë shtetit serb, se pa pasur progres, Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE.
Eurodeputetja gjermane ka thënë se është lajm shumë i mirë që Këshilli Evropian dhe Komisioni Evropian nuk do hapin kapituj të ri për Serbinë, pasi gjendja e demokracisë atje është përkeqësuar.
Cramon thotë se në Serbi po sulmohen mediat, policia po sillet dhunshëm me protestat paqësore dhe zgjedhjet sa herë që po mbahen ka probleme serioze. “Nëse nuk shohim progres, atëherë është në rregull të themi se nuk mund të garantojmë kapituj të rinj. Të gjithë në Serbi e dinë që ne jemi të bindur se Serbia i përket BE-së dhe se ju duhet të bëheni anëtare. Ka mbetur akoma shumë punë, unë kam kërkuar nga të gjithë që në mënyrë aktive të punojnë në këtë drejtim”, ka thënë Cramon për N1.
Von Cramon foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku tha se duhet që dy shtetet të punojnë shumë për normalizimin e marrëdhënieve dhe të bëjnë kompromise nga dyja palët, shkruan GazetaMetro
Ndryshe, raportuesja për Kosovën tha se Prishtina po bashkëpunon me Gjykatën Speciale në Hagë.