Sot janë bërë 19 vjet kur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u lirua nga burgu në Nish të Serbisë. Kurti u lirua më 7 dhjetor të vitit 2001, përcjell InLajmi.
Kurti ishte arrestuar më 27 prill të vitit 1999 në Prishtinë dhe deri me 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës.
Nga 2 maj deri më 10 qershor është mbajtur në burgun e Lipjanit dhe nga 10 qershori deri më 13 dhjetor 1999, Kurti u mbajt në burgun e Pozharevcit.
Nga 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000 ai u mbajt në burgun e Nishit.
Kurti ka qenë i dënuar me 15 vjet burgim me akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”.
Kurti në pikën kufitare të Merdares kishte thënë së nuk ka dashur të lirohet vetëm pasi që edhe shokët e tij ishin duke u mbajtur akoma pengje nëpër burgje të Serbisë.
Ka ngjarë ajo që më së paku kam dëshiruar, jam liruar i vetëm – individualisht. Shokët e mi vazhdojnë të mbahen pengje nëpër burgjet e Serbisë. Shumica dërmuese e tyre janë me shëndet të rrënuar, ose të plagosur ose të dyja këto, mirëpo ata vazhdojnë të qëndrojnë të fortë moralisht dhe psiqikisht.
Ai kishte thënë se ka kërkuar vetëm drejtësi për popullin e tij.
Nuk kam kërkuar që të më amnistojnë ose falin, kam kërkuar vetëm drejtësi, të popullit tim dhe ndërkombëtare. Drejtësia dhe e vërteta në të ashtuquajturat Serbi dhe Jugosllavi kanë qenë dhe janë e kundërta e kuptimit.
Albin Kurti kishte thënë pas lirimit të burgut se më shumë i mungojnë shokët që ishin në burg të cilët po mbaheshin dhe po torturoheshin padrejtësisht, sesa familja e tij.
Nuk duhet fokusuar në lirimin tim por mënyrën e këtij lirimi, motivet dhe pasojat. Regjimi pseudodemokratik i Beogradit lirimin tim e ka përdorur si mjet për t’ua zgjatur robërinë shokëve të tjerë që vazhdojnë të mbahen në burgje. Në këto momente më shumë më mungojnë ata sesa familja ime./InLajmi/