Në qytetin e mbushur me flamuj të Serbisë, Mitrovica e Veriut të dielën votoi për të zgjedhur kryetarin e komunës deri në zgjedhjet lokale të 2021.
E përveç situatës së krijuar me pandeminë, këtë herë në veri zgjedhjet për herë të parë janë zhvilluar pa mbikëqyrjen e misionit të OSBE-së.
Në secilën qendër të votimit duke filluar nga oborri, ka pasur udhëzime se si duhet të sillen votuesit brenda qendrës për të evituar përhapjen e pandemisë Covid-19.
Por jo të gjithë këto masa janë respektuar. Në njërën prej qendrave më të mëdha të votuese në shkollën fillore “Sveti Sava”, janë parë grumbuj të qytetarëve nëpër korridore, ndërsa distanca nuk është respektuar as brenda vendvotimeve.
Banorët serbë të Veriut presin ndryshime në këto zgjedhje.

“E rëndësishme është që unë shfrytëzova të drejtën time për të votuar. Do të ishte marrëzi nëse nuk do të prisja diçka më mirë”, ka thënë Isko Muriq.
“Njëjtë si zakonisht qysh ka qenë edhe më parë mirë dhe normalisht”, ka shtuar Jovica Kordiq.
Pak metra më tutje në lagjen e banuar me shumicë shqiptare gjithashtu janë parë flamuj, por kësaj radhe kuq e zi.
Banorët shqiptarë të veriut presin mbështetje më të madhe nga kryetari i ardhshëm i Mitrovicës së Veriut, derisa brenga kryesore e tyre mbetet kthimi në pronat e tyre.
“Ne prej këtyre zgjedhje presim ndryshime pozitive sepse deri më tani në veri prej 2013 asnjë qeveria nuk ka bo një rindërtim të shtëpia”, ka pohuar Fevzi Beqiri.
“Mendoj që duhet të rregullohet situatë për shqiptarët në veri gjendja ekonomike gjithashtu”, ka shtuar Hamdi Sogërlla.
Përveç 4 kandidatëve cilët garuan në zgjedhjet lokale, të dielën ka votuar edhe zyrtarja ekzekutive në Kuvendin Komunal të Veriut Adriana Hoxhiq, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin sa më shumë në këto zgjedhje.
“Me këtë rast u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të votojnë për përfaqësuesit e tyre. le të votojnë dhe të zbatojnë masat parandaluese pasi para se gjithash shëndeti i të gjithë neve është më i rëndësishmi”, ka deklaruar Adriana Hoxhiq, zyrtare ekzekutive në Mitrovicën e Veriut.
Por një thirrje e zëvendëskryeministrit Goran Rakiq për të votuar kandidatin e partisë së tij ka shkaktuar reagime këtë të diel.
Rakiq pasi ka votuar së bashku me kandidatin e kësaj Listës Serbe, u ka bërë thirrje qytetarëve në veri që të votojnë kandidatin e listës Serbe, Milan Radojeviq.
“U bëj thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë për kandidatin e vet duke respektuar masat epidemiologjike. Pres fitore bindëse të kandidatit të Listës Serbe. Përkrahjen që e kemi nga Serbia dhe presidenti Vuçiq do të dëshmojmë edhe gjatë kësaj dite, sepse në mënyrë unike qytetarët që nga mëngjesi janë duke votuar për Milan Radojeviq. U bëj thirrje qytetarëve që duke respektuar masat të dalin në zgjedhje dhe të rrethojnë numrin 123 Milan Radojeviq”, ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Kjo deklaratë ka shtyrë Vetëvendosjen që të dërgojë ankesë në PZAP.
Kandidati për kryetar në veri nga Vetëvendosje Erden Atiq, përmes një postimi në facebook deklarimet e Rakiqit i ka quajtur shkelje të ligjit, ndërsa ka thënë se gjithashtu kandidati për kryetar nga Lista Serbe Milan Radejoviq ka shkelur ligjin kur i është referuar shtetësisë së Kosovës si Kosovë e Metohi.
“Shkelësit e ligjit nuk mund të qeverisin, ata që nuk njohin ligjet nuk sigurojnë zbatimin e tyre! Ata që i drejtohen Republikës së Kosovës me ‘Kosovo i Metohija’ nuk mund të përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi. Kryetari i Listës Serbe, që njëherësh është zëvendëskryeministër, Goran Rakiq, ka bërë thirrje të votohet Lista Serbe, duke thyer kështu ligjin për zgjedhje dhe heshtjen zgjedhore, ndërkohë kandidati për kryetar të Veriut Radejoviq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim me ligjet në Kosovë, duke mohuar shtetësinë tonë dhe duke ofenduar qytetarët e pjesës veriore! Zyrtarët tanë ligjorë kanë dorëzuar ankesën për shkeljen e heshtjes zgjedhore në PZAP”, thuhet në reagimin e VV-së.
Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut janë mbajtur pas dorëheqjes së Goran Rakiqit nga pozita e kryetarit i cili u emërua ministër i Pushtetit Lokal dhe zëvendëskryeministër në qeverinë Hoti, raporton koha.net.
Ndërsa, mandati i kryetarit të ri do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale më 2021.