Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se të hënën do mbajnë takim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ku edhe do të vendosin nëse do të marrin masa shtesë anti-Covid, duke parë se numri i vdekjeve është i lartë dhe personave të infektuar po ashtu.
“Të hënën pasdite do të ulemi të bisedojmë me IKPSH dhe Bordin dhe nëse është e nevojshme që të ndërmarrim edhe ndonjë masë që e ulë infeksionin dhe zbrit rastet spitalore që janë shqetësimi më i madh”, ka thënë ai nga qyteti i Podujevës.
I pyetur se a mund të ketë mbyllje totale ai ka thënë se do të veprohet ashtu si thonë profesionistët shëndetësorë, duke mos e përjashtuar kështu një gjë të tillë.
“Të gjitha rekomandimet që vijnë nga profesionistët, edhe për mbyllje, do ta shohim edhe ditën për kufizimet që duhet të ndërmarrim. Mbyllja është opsioni i fundit”, tha Zemaj.
Kujtojmë se në 24 orët e fundit 16 pacientë kanë vdekur si pasojë e infektimit me coronavirus në Kosovë, duke e çuar kështu shifrën totale të vdekjeve në 1.005.
Numri total i rasteve pozitive është 39.057 raste nga 142.769 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.005 raste të vdekjes, përcjell Telegrafi.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 24.427 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.625.