Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se dita e nesërme do të jetë ditë pune në këtë komunë, përcjell InLajmi.
Ai tha se vendimet e institucioneve duhet të respektohen nga të gjithë dhe se, nga tërë ditët e humbura për shkak të situatës pandemike, edhe një ditë e humbur është e paarsyeshme.
Postimi i plotë i tij:
“Për shkollat dhe institucionet tona komunale, nesër do të jetë ditë pune.
Vendimet e institucioneve tona, të ndërtuara me shumë mund e sakrificë duhet të respektohen e zbatohen nga të gjithë ne.
Pas ditëve të humbura të mësimit si shkak i gjendjes pandemike, edhe një ditë e humbur është e pa arsyeshme dhe nuk ka nevojë të ndodhë.
Populli ynë ka vuajtur aq shumë për të ruajtur arsimin dhe edukimin shqip, duke mos u ndalur as në kohë lufte, duke zhvilluar procesin mësimor edhe në shtëpi-shkolla, vetëm e vetëm që të mësojmë e edukojmë gjeneratat e reja, kurse tani të lirë e të pavarur duhet të mos ndalemi e dorëzohemi, por të punojmë shumë që të jetësojmë amanetin e heronjve dhe dëshmorëve të Lirisë.
Andaj të dashur mësimdhënës kërkoj mirëkuptimin tuaj që nesër të mbani mësimin dhe përveç tjerash tu shpjegoni fëmijëve tonë se sa e lavdishme është historia jonë kombëtare”./InLajmi/




















