Kryediplomati iranian thotë se në vrasjen e shkencëtarit Mohsen Fakhrizadeh ka indikacione serioze të përfshirjes izraelite
Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Javad Zarif, tha se njëri nga shkencëtarët kryesorë bërthamor iranianë është vrarë sot nga persona të armatosur të paidentifikuar në periferi të kryeqytetit Teheran
“Terroristët vranë një shkencëtar të shquar iranian sot. Ky akt qyqar, me indikacione serioze të përfshirjes izraelite, është luftënxitës nga ana e autorëve të krimit”, tha Zarif.
“Irani i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-së që t’i japin fund standardeve të tyre të dyfishta të turpshme dhe të dënojnë këtë akt të terrorit shtetëror”, shtoi kryediplomati iranian në Twitter.
Sipas burimeve, incidenti ndodhi në qarkun Damavand në orët e pasdites, kur shkencëtari Mohsen Fakhrizadeh po udhëtonte me automjetin e tij privat i shoqëruar nga anëtarët e familjes.
Në një deklaratë, Ministria i Mbrojtjes e Iranit konfirmoi vrasjen duke thënë: “Terroristët e armatosur sulmuan makinën ku transportohej kreu o Organizatës së Kërkimit dhe Inovacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, Mohsen Fakhrizadeh”.
Sulmuesit thuhet se shpërthyen një automjet përpara makinës së Fakhrizadeh përpara se të qëllonin pa dallim ndaj tij, duke plagosur rëndë atë dhe të tjerët në makinë.
Shkencëtari i lartë bërthamor u dërgua menjëherë në një spital aty pranë, por burimet thonë se ai përfundimisht iu nënshtrua plagëve. Truproja i tij thuhet se është në gjendje kritike.
Ende nuk është e qartë se sa njerëz u vranë ose u plagosën në sulmin që ndodhi në hyrje të qytetit malor Absard.
Ky është rasti i dytë i vrasjes së zyrtarëve të lartë iranianë pas vrasjes kreut të Forcave Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islame të Iranit, Qassem Soleimani, i cili u vra në një sulm ajror të SHBA-së në janar të këtij viti.
Vrasja e shkencëtarit Fakhrizadeh erdhi në prag të përvjetorit të vrasjes së një shkencëtari tjetër të lartë bërthamor iranian, Majid Shahriari, i cili u vra në 2010.
Ai u kishte mbijetuar disa përpjekjeve për vrasje në të kaluarën.
Pas vrasjes së shumë shkencëtarëve bërthamorë në vitet e fundit, Fakhrizadeh ishte nën mbrojtjen e agjencive iraniane të sigurisë. Gjithashtu, fotografitë e tij nuk u publikuan në media pavarësisht statusit të tij të profilit të lartë.
Irani gjithashtu kishte refuzuar kërkesat e trupit mbikëqyrës bërthamor të OKB-së për ta intervistuar atë në një përpjekje për ta mbajtur atë larg nga mediat, transmeton Anadol Agency (AA)
Fakhrizadeh ka mbajtur ligjërata në Universitetin Imam Hussein në Teheran, universitet i cili është i lidhur me Gardën Revolucionare Islame të Iranit.