Kosova dhe Serbia javën e kaluar kanë arritur një “marrëveshje mirëkuptimi” për të pezulluar vizitat e ndërsjella, për aq kohë sa do të zgjasin gërmimet në varrezat e dyshuara masive, ku dyshohet se janë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo marrëveshje, sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, u bë menjëherë, pasi autoritetet në Prishtinë refuzuan kërkesën për vizitë të zyrtarëve të lartë serbë.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka konfirmuar se është arritur një pajtim i mirëbesimit, por nuk ka saktësuar për çfarë palët kanë rënë dakord.
“Ne nuk komentojmë marrëveshje diplomatike apo të mirëkuptimit, të cilat i ka ndërmjetësuar BE-ja me apo mes partnerëve tanë. Por, në këtë rast konkret, mund të konfirmoj, pa hyrë në detaje, se ne kemi ndërmjetësuar një mirëkuptim të tillë mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me vizitat e ndërsjella”, ka deklaruar Stano.
Mësohet se marrëveshja u arrit përmes përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ai parashikoi që palët të përmbahen nga kërkesa për vizita në Serbi ose Kosovë.
Por, një zyrtar i BE-së tha në kushte anonimiteti se “ministrja e Kosovës (Meliza Haradinaj-Stublla) e shkeli konfidencialitetin e kësaj marrëveshjeje brenda pak orësh, dhe kjo është arsyeja pse BE doli në publik, dhe konfirmoi ekzistencën e një marrëveshjeje për të cilën nuk duhej të flitej në publik”.
Siç u shpjegua në selinë e BE-së, iniciativa për këtë marrëveshje u nis për shkak të “nxitimit të papritur të kërkesave” të paraqitura për vizita në Kosovë dhe Serbi, në kohën kur filluan gërmimet në një vend ku dyshohet për një varrezë masive të shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës.
Logjika e kësaj iniciative evropiane, siç u tha, është që vizita të tilla do të provokojnë tensione dhe emocione.
Sipas burimeve, kishte 3 kërkesa nga Serbia për të vizituar Kosovën, përfshirë edhe ajo e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një kërkesë nga Kosova për të vizituar Serbinë. Burimet e REL-it konfirmuan se pala serbe gjithashtu ra dakord “në heshtje” të tërheqë kërkesën për një vizitë.
Më 21 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe 2 zyrtarëve të tjerë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Haradinaj-Stublla tha se kërkesa e presidentit Vuçiq, ministrit të Mbrojtjes, Alleksandar Vulin dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën, vjen në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të mbetjeve mortore “të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në BE ndërkaq nuk kanë dashur ta komentojnë as deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Haradinaj-Stublla, e as të letrën që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.