Pak më shumë se një jave më parë drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore në Prishtinë, Arsim Gerxhaliu, deklaroi se në Kizhevak në komunën e Rashkës është gjetur një varrezë masive.
2 ditë më vonë kryetari i komisionit për personat e zhdukur në qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviç, tha se besohet se varri ka 15 deri 17 trupa dhe se identifikimi i tyre do të jetë i mundur pas analizës së ADN-së.
Po në të njëjtën ditë departamenti i krimeve të luftës i gjykatës së lartë të Beogradit kërkoi ekshumimin e trupave të gjetur në këtë komunë në Serbinë jugperëndimore.
I vetmi përfaqësues i opozitës, i cili foli për këtë çështje, ishte kryetari i Forumit Demokratik Qytetar (GDF), Zoran Vuletiç. Në deklaratën e tij ai kujtoi se varreza masive në Rashkë nuk është e vetmja e gjetur në Serbi: “Varret e fshehura tregojnë papërgjegjësi të vazhdueshme të shtetit dhe bashkëpunim të padyshimtë në krim.”
Ndalimi i hyrjes në Kosovë
Disa ditë pasi u zbulua varri në Rashkë, u botua lajmi se Aleksandër Vuçiçi ishte ndaluar të hynte në Kosovë. As lidhur me këtë nuk u shpreh asnjë zyrtar serb dhe Presidenca e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së KoSSev për të komentuar këtë lajm.
Pyetjes së DW, nëse Vuçiçit ishte ndaluar vërtet hyrja në Kosovë dhe cila ishte arsyeja e këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës iu përgjigj përmes linkut me deklaratën e ministres Meliza Haradinaj-Stublla: “Kërkesa e Vuçiçit, Vulinit, Gjuriçit e Petkoviçit për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve është ofendim më tepër se provokim”, tha Haradinaj-Stublla dhe shtoi se “çdo kërkesë e Serbisë në këto rrethana gjithmonë do ta ketë përgjigjen e njëjtë! “
Ndër të rrallët, nëse jo i vetmi, që reagoi lidhur me lajmin për ndalimin e hyrjes së Vuçiqit në Kosovë, është përsëri Zoran Vuletiç. Ai e pyeti presidentin e Serbisë, nëse ndalimi i hyrjes në Kosovë kishte të bënte me gjetjen e varrezës, por deri tani me sa duket nuk ka marrë përgjigje.