U.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas emërimit të djalit të deputetit Haxhi Shala në pozitën e konsullit në Çeki, përcjell InLajmi.
Osmani ka thënë se do ta shfuqizojë dekretin e ish-presidentit Hashim Thaçi që mundësoi këtë emërim.
Ajo ka shtuar se nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm
Postimi i plotë i saj:
Emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës. Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë.

Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen. /InLajmi/