Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare të premten, më 27 nëntor, në orën 10:00, për të shqyrtuar dhe votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Kështu është vendosur sot në mbledhjen virtuale të Kryesisë së Kuvendit.
Në këtë mbledhje është vendosur që të hënën, më 30 nëntor, të mbahet seancë e re, në të cilën përveç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohen edhe 12 pika tjera.
Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007.
Në vazhdim, në rend dite do të jetë shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024, si dhe raportet e punës për vitin 2019 të shtatë institucioneve të pavarura: raporti vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, raporti vjetor i Akademisë së Drejtësisë, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019, si dhe raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit.
Në këtë seancë është paraparë të bëhet edhe emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, si dhe zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyertues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Më 13 dhjetor 2020, ndërkaq, Kuvendi do të mbajë seancë të veçantë për personat me nevoja të veçanta, sipas kërkesës së deputetit Fetah Rudi, përcjell koha.net.
Në mbledhjen e sotme, kryesia e Kuvendit vendosi që të përsëritet shpallja e konkursit publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare.