Gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara në Hagë, Nicolas Guillou, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin me kusht të ish-eprorit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara ku ndër arsyet e refuzimit përmendet se “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, që i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësojnë çdo përpjekje për të ikur; pengojnë procedurat përmes ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë, ose të kryejë krime të mëtejshme”.
Gjykatësi Guillou ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Salih Mustafës deri në një vendim tjetër.
Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015, shkruan Telegrafi.
Ai në paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.