Gazmend Muhaxheri, nënkryetar i LDK -së, njëherësh kryetari i komunës së Pejës, ka thënë se në Kuvend po ka mungesë votash për votimin e ligjit të Rimëkëmbjen Ekonomike, për shkak të deputetëve të infektuar me koronavirus.
“Nuk jam i informuar që ka probleme serioze me Listën Serbe, Qeveria po shpreson se do të kalohet në seancën e ardhshme Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe buxheti, ndërsa problemet e tjera pritet të lindin më vonë për çështje tjera”, deklaroi ai.
Nënkryetari i LDK-së u shpreh i bindur se në seancën e ardhshme të Kuvendit, Qeveria do të ketë votat e mjaftueshme që të kalojë Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, u shpreh ai në RTV Dukagjini.
“Kjo është problematikë e koalicionit por në mundësinë tjetër nuk kemi alternativë, ky koalicion është e vetmja alternativë që të kalohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe buxheti, e në ditët në vijim të shikohet për problematikat tjera”, theksoi Muhaxheri.