Të paktën 600 civilë janë vrarë gjatë një sulmi në veri të Etiopisë në fillim të muajit, prej etnisë së tyre, tha sot komisioni shtetëror i të drejtave të njeriut.
Në raportin paraprak për masakrën e 9 nëntorit në Mai-Kadra, qytezë e rajonit Tigray, thuhet se një grup të rinjsh Tigray, të ndihmuar nga zyrtarët lokalë dhe policia kryen bastisje derë më derë duke vrarë qindra njerëz, që ata identifikonin si të etnive minoritare Amharas dhe Wolkait.
Komisioni që e përshkruan veten si institucion “kombëtar të pavarur”, akuzon grupin së bashku me organet e sigurisë Tigray për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, para se të tërhiqeshin prej avancimit të Forcave Mbrojtëse të ushtrisë së Etiopisë.
“Krimet e paimagjinueshme kundër civilëve pa arsye tjetër përveç etnisë së tyre, janë të dhimbshme. Është tashmë një prioritet që viktimave dhe familjeve të tyre t’u jepet ndihmë rehabilitimi, ndërsa përgjegjësit e drejtpërdrejtë e të tërthortë të vihen para ligjit”, tha kreu i komisionit Daniel Bekele.
Sulmuesit kishin masakruar njerëzit dhe shkatërruar e vjedhur shtëpitë e tyre duke përdorur thika, hanxharë dhe litarë për të mbytur viktimat.
Dëshmitarët thanë se rezidentë të tjerë të etnisë Tigray kishin shpëtuar jetë duke i fshehur njerëzit në shtëpitë e tyre, në kisha apo në fusha.
Dëshmitarët thanë për grupin Amnesty International se zyrtarët Tigray në pushtet ishin përgjegjës për sulmin që shënjestronte etninë Amharas.
Partia në pushtet Fronti Çlirimtar Tigray nuk iu përgjigj kërkesës për komente te rrjetit.
Ka pasur disa raportime sulmesh të rënda që kur kryeministri i Etiopisë Abiy Ahmed dërgoi ushtrinë kundër popullatës Tigray, për sfidë ndaj autoritetit të tij, transmeton Top Channel.
Konflikti kërcënon të shkatërroje disa vjet progres në vendin me popullsinë e dytë më të madhe të Afrikës, që ka qenë relativisht i qetë në Kepin e Afrikës.