Aliu në një konferencë për media, tha se deklarimet e Selmanajt janë të papranueshme.
“Deklarimet dhe qëndrimet e muajve të fundit të Driton Selmanajt, kulmuan me një deklaratë të tij në një televizion lidhur me çështjet dhe diskutimet në interpelancën për të pagjeturit të rrëmbyer dhunshëm nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Një qëndrim i tillë është i papranueshëm, së pari nga pikëpamje morale, së dyti sepse është mungesë e thellë ndaj viktimave dhe familjarëve, dhe së treti dëmton pozicionin e Kosovës kudo”, tha Aliu.
Deputeti Aliu ka thënë se me këtë qeveri kanë kontest në Gjykatën Kushtetuese, por qëndrimet e Driton Selmanajt janë përtej raporteve të tyre për formimin e kësaj qeverie.
“Çështja e personave të pagjetur nuk është çështje e një subjekti politik, apo individi, por është dhimbje që prek të gjithë qytetarët e këtij vendi. Në këtë pikë nuk mund të ketë tolerancë. Qytetarët me të drejtë janë fyer e lënduar nga këto qëndrime pikërisht kur vazhdojnë negociatat me Serbinë”, tha Aliu.
Aliu shtoi se çdo ditë që kalon pa marrë masa për largimin e Driton Selmanajt është dëmtim dhe fyerje për viktimat e krimeve të Serbisë në Kosovë./InLajmi/