Në nderim të figurës së këngëtarit të njohur Ismet Peja, Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë bërë homazhe, për artistin e këngës, përpara objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është vendosur fotografia e këngëtarit të ndjerë, përcjell InLajmi.
Kryeministri Hoti dhe ministrja Dumoshi janë nënshkruar në librin e kujtimeve, duke e vlerësuar lart jetën dhe veprën e Ismet Pejës, i cili u nda sot.
Kryeministri Hoti tha se bashkë me ministren Dumoshi bënë nderime për ikonën e muzikës popullore gjithëshqiptare, Ismet Peja.
“Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij të cilat nuk ka shqiptar që nuk i di, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare. Ai ka hyrë në historinë artistike të Kosovës, sepse ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij”, theksoi ai.
Ndërsa ministrja Vlora Dumoshi, ka thënë se lajmi i mëngjesit për vdekjen e Ismet Pejës, ishte i trishtë sepse u nda nga kjo jetë doajeni i muzikës popullore.
“Unë si ministre kam kontaktuar me familjen e tij dhe ne si ministri do të përkujdesemi për ceremoninë në Gjakovë. Në orën 14:30 do të jenë homazhet dhe në ora 15:00 varrimi”, potencoi ministrja.
Figura të njohura nga politika e kultura kanë shprehur ngushëllime e kanë bërë homazhe tek objekti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku edhe po qëndron e vendosur e të ndjerit./InLajmi/