Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se deklaratat e zv.kryeministrit Driton Selmanaj lidhur me çështjen e të pagjeturve janë duke u shtrembëruar nga persona të caktuar, raporton InLajmi.
“Deklaratat qe i ka dhënë Selmanaj janë duke u shtrembëruar nga personat e caktuar. Nëse do të kishte një element më të vogël në bindje apo deklarata që do të binte ndesh me parimet tona, unë i pari do të ju kërkoja falje dhe do të merrja menjëherë veprimet e duhura. Nëse dikush nga familjarët është ndjerë keq nga informatat e shtrembëruara, edhe për atë ju kërkoj falje, por e vërteta nuk qëndron ashtu siç po thuhet”, ka thënë ai.
Hoti ka shprehur angazhimin e kësaj Qeverie për temën e të pagjeturve.
“Besoj e keni analizuar edhe vetëm deklarimin e zëvendëskryeministrit në Kuvend. Nëse ka pasur përkushtim për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve ndonjëherë, ka në këtë Qeveri sepse nuk ka munguar angazhimi pos tash për shkak të angazhimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në procesin e dialogut në Bruksel tema e të pagjeturve është e para që diskutohet, edhe në informatat që i kam në komisionin parlamentar krejt këto tregojnë se sa e përkushtuar është kjo qeveri me çështjen e të pagjeturve”, ka potencuar tutje kryeministri i vendit.
Nga kryeministri është kërkuar që ta shkarkojë Selmanajn nga pozita, madje, është nisur edhe një peticion për këtë çështje./InLajmi/