Drejtori i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj, ka njoftuar se që nga fillimi i pandemisë 20 punëtorë janë infektuar me koronavirus. Rexhepaj thotë se numri i ulët i të infektuarve te Trafiku Urban është edhe fal fatit, por edhe sipas tij, përkujdesit tejet të madh për t’i zbatuar masat anti-COVID.
“Deri më tash kanë qenë 20 punëtorë të infektuar dhe këtu dua të theksoj se kemi qenë me fat, sigurisht ka ndikuar edhe përkujdesi tejet i madh për t’i zbatuar masat anti-Covid dhe kjo e ka parandaluar një përhapje të shpejtë të infeksionit”, theksoi ai.
Autobusët e Trafikut Urban po punojnë me orar të reduktuar çdo ditë nga ora 06:00 deri në orën 19:00. Kurse linja 1A, qarkullimi për aeroport dhe anasjelltas, dhe linja 15 për në fshatin Keçekollë, po qarkullojnë sipas pas orarit normal të tyre. Ky ndryshim i orarit është bërë pas hyrjes në fuqi të masave të reja për mbrojtje nga pandemia, masa këto që sipas drejtorit të Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj, po respektohen maksimalisht.
“Tani më jemi adaptuar që t’i përcjellim dhe t’i zbatojmë vendimet e institucioneve përgjegjëse për masat anti-Covid, dhe me të marr njoftimin i përshtatemi menjëherë edhe linjat dhe orarin e qarkullimit. Tani për tani jemi duke operuar deri në orën 19:00 aq sa është e lejuar liria e lëvizjes”, tha Rexhepaj. “Ne të gjitha linjat jemi duke operuar, bile linja e aeroportit dhe linja për fshatin Keçekollë operon edhe pak për ta mbyllur orarin e rregullt edhe pas orës 19:00”, ka thënë Rexhepaj për EkonomiaOnline