Hungaria dhe Polonia vunë veton kundër buxhetit të BE-së. Tani Angela Merkel përpiqet të gjejë një zgjidhje.
Në mosmarrëveshjen mbi bllokimin e buxhetit të BE-së dhe fondit të ndihmës për koronavirusin, nga Hungaria dhe Polonia, nuk duket ndonjë zgjidhje e shpejtë në horizont.
Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së u morën vetëm shkurtimisht me këtë çështje gjatë një videokonference. Kancelarja Angela Merkel tha se kemi të bëjmë me një “problem shumë serioz” dhe se si kryesuese e radhës e BE-së do të vazhdojë bisedimet për të gjetur një zgjidhjeje me Budapestin dhe Varshavën.
Nënpresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans tha se është në interesin e të gjithëve që të gjejmë shpejt një zgjidhje, sepse prej saj varet rimëkëmbja jonë ekonomike dhe puna e shumë vetëve.
“E gjithë ajo që u kërkohet vendeve anëtare është të respektojnë traktatet që ata kanë nënshkruar dhe ratifikuar. Kjo është gjithçka.” – tha Timmermans.
Edhe Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, bëri thirrje që paketa e ndihmës prej 750 miliardë eurosh për koronavirusin të hyjë në fuqi pa vonesë, sepse u mundëson vendeve që kanë pak hapësirë buxhetore që të mbështesin ekonominë në pandemi.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel kishte shkruar në Twitter se takimi do t’i kushtohej kryesisht koordinimit të përpjekjeve për të luftuar koronavirusin duke u përqëndruar në njohjen reciproke të testeve të COVID-19, përgatitjet për vaksinimet dhe një qasje të përbashkët për heqjen e kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit,
Një çështje tjetër që diskutuan krerët e shteteve dhe qeverive ishte statusi i negociatave për Brexitin, raporton DW.
Në mediat britanike kanë qarkulluar ditët e fundit thashethemet se marrëveshja tregtare me Britaninë e Madhe gjendet para nënshkrimit, transmeton lajmi.net.
Por diplomatët e BE-së i shuan shpresat e tilla me fjalët “nuk ka asgjë për të ushqyer këtë optimizëm”.