Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e një numri të paidentifikuar kufomash në një varrezë masive në Kizhevak të Komunës së Rashkës.
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të pagjeturit tha se zona ku janë gjetur mbetjet mortore ka qenë një zonë e betonuar dhe sipër saj kishte shtëpi, ndërsa u shpreh i bindur se numri i trupave të pajetë duhet të jetë shumë më i madh seç raportohet.
Ai sqaroi se në procedurën e zhvarrimit marrin pjesë tri palë, ajo serbe, kosovare, dhe përfaqësues të EULEX.
Sipas z. Grajçevci, Serbia nuk ka dhënë asnjë informacion për fatin e shumë shqiptarëve që kanë hyrë të gjallë në territorin serb dhe nuk janë gjetur më. Ai u shpreh i bindur se me presionin ndërkombëtar do të gjenden plotë varreza masive të shqiptarëve në Serbi, transmeton Euronews Albania.
“Komisioni për të pagjeturit e ka bërë një punë të vetën brenda Kosovës, por jashtë Kosovës duhet presioni ndërkombëtar dhe do të gjendet plot varreza masive në serbi me trupa të shqiptarëve.
Më mirë se Serbia, askush s’i di. Një numër i madh shqiptarësh kanë hyrë të gjallë në Serbi, por asnjëherë Serbia nuk ka dhënë informacion lidhur me fatin e tyre”, tha ai.