Specialistët e papunësuar të Stomatologjisë kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë, mirëpo për shkak të virusit COVID-19 dhe masave anti-Covid numri i protestuesve nuk ka qenë i madh, përcjell InLajmi.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Qeveria se Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, kanë shpallur konkurs për pranim të specialistëve të papunë.
Publikimi i konkursit është bërë në bazë të kërkesave nga klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme, ndërsa është marrë për bazë shpërndarja racionale e specialistëve në të gjitha rajonet e Kosovës.
Mirjeta Berisha-Dobraj organizatore e protestës ka thënë se po presin që të takohen me ministrin, e që sipas saj, akoma nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Protestuesit kanë vendosur mbishkrim “Diskriminim”, në dyert e Ministrisë së Shëndetësisë, por ky mbishkrim është larguar nga sigurimi i ministrisë.
Për herë të parë SHSKUK në konkurs ka përfshirë pranimin e specialistëve për Spitalin e Përgjithshëm në Podujevë.
Aplikimi mund të bëhet nga data 18 nëntor deri me 2 dhjetor./InLajmi/