Sot është votuar raporti vjetor financiar i Avokatit të Popullit nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere, përcjell InLajmi.
Para këtij komisioni, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka prezantuar raportin financiar për vitin 2019.
Qelaj ka thënë se realizimi total i buxhetit është 92.5% , ndërsa buxheti përfundimtar për paga dhe mëditje është 923.000 euro. Ai ka njoftuar se numri i personave që janë paraqitur në ankesat është 9468, numri i rasteve për hetime 943 dhe numri i përgjithshëm i rasteve të mbyllura për vitin 2019 është 849”.
“Sipas procedurave kemi bërë deklarimin e kursimeve prej 142.000 euro. Realizimi total i buxhetit është 92.5%. Sipas procedurave ligjore institucioni ka bërë deklarimin për paga dhe mëditje prej 50.000 euro, ndërsa buxheti përfundimtar për paga dhe mëditje është mbi 923.000 euro. Për institucion ka qenë shumë e ndarë prej 323.000 euro”, ka thënë Qelaj.
Tutje, ai ka paraqitur shqetësimin e tij për buxhetin e vitit 2021, ku ka kërkuar që të aprovohet dhe të mosshkurtohet. Kjo për qëllimin që ta realizojë me sukses mandatin e tij.
Qelaj ka njoftuar se për vitin e ardhshëm nuk parashikohet rritje e pagave brenda institucionit, por vetëm shtim të stafit.
Bedri Hamza, deputet nga radhët e PDK-së, ka kërkuar që të jenë racional dhe të arsyeshëm në kërkesat e tyre sepse në punën e tij ka vërejtur raste që kanë shkuar përtej të nevojshmes.
“Është një vendim i gjykatës i cili i jep të drejtë këtij institucioni dhe autonomi me përgatitjen dhe propozimin e buxhetit dhe të gjitha këto, me qenë të kujdesshëm sepse në punën time kam pasë raste ku organizata të caktuara për shkak të autonomisë pastaj kanë shkuar përtej asaj të nevojshmes, dhe në rast si i krahasojmë këto na dal një diskrepancë në lartësinë e pagesave që i përfitojnë të punësuarve brenda institucioneve të caktuara, dhe i kisha lut me qenë racional dhe të arsyeshëm në kërkesat e tyre”, ka thënë Hamza.
Mimoza Kusari-Lila ka pyetur se a është rritur numri i kërkesave, nga shtresat e margjinalizuara.
“Situata me pandeminë ka prekur shtresa të caktuara sociale, në aktivitetin e këtij viti a keni pasur kërkesë më të shumta në raportin me situatën që janë gjendur me pandeminë, qoftë të shërbyesve civil, apo sektorit privat”, ka thënë Kusari-Lila./InLajmi/