Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu gjatë seancës për debatin parlamentar lidhur me pandeminë COVID-19, ka kritikuar qeverinë Kurti dhe atë Hoti, përcjell InLajmi.
Haxhiu i ka cilësuar këto qeveri si të paafta në menaxhimin e pandemisë dhe sipas tij zyrtarët e VV-së dhe LDK-së e shfrytëzuan këtë gjendje për ta zhvatur buxhetin e shtetit për vete, përderisa i mbyllën bizneset për tre muaj.
“Në këtë kohë krize patëm hajni në pandemi. U vjedh e u keqpërdor buxheti i shtetit që nga blerja e dorëzave, dezinfektuesve, maskave, edhe në thasë të kufomave u vjedh. Sot situata me pandeminë është buzë kolapsit.” , tha Haxhiu.
Ai theksoi se Kosova është vendi i vetëm në botë që po përballet me valën e 3-të të përhapjes së virusit COVID-19, pasi, sipas tij, ministrat e shëndetësisë më shumë kanë vrapuar për të dalë në media dhe për t’i dënuar bizneset.
“Prioritet i LDK-së dhe VV-së nuk ka qenë pandemia, por pushteti, prandaj kemi sfilata me flija e nuk kemi vizita, as të Arben Vitisë, as të Albin Kurtit, as të Avdullah Hotit në QKUK.” , ka thënë Haxhiu.
Sipas deputetit Haxhiu qeveritë Kurti e Hoti më shumë janë marrë me shkarkime të bordeve, se sa me marrjen e masave të duhura për ta shpëtuar shëndetin e qytetarëve nga virusi COVID-19./InLajmi/