Është arrestuar një femër në lidhje me kërcënimin në rrjete sociale që i është bërë kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri gjatë ditës së djeshme.
Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi, i cili tha se pas veprimeve hetimore që ka ndërmarrë policia një person (gjinia femër) është identifikuar më pas arrestuar dhe intervistuar në Stacionin Policor në Pejë.
Në bashkërendim me prokurorin e shtetit e dyshuara më pas është liruar.
Sipas Gashit, rasti është cilësuar si “Kanosje” ndërsa janë duke u zhvilluar hetimet edhe për një të dyshuar i cili është në kërkim nga policia.
Në lidhje me rastin Klan Kosova ka kontaktuar edhe të parin e Pejës, Gazmend Muhaxheri por i njëjti ka rekomanduar që të kontaktohet avokati i tij mbrojtës, ndërsa Dukagjin Kërveshi përfaqësues ligjor i Muhaxherit tha se nuk ka çfarë të deklarojë pasi këtë punë ia kanë lënë në dorë drejtësisë.