Dega e PDK-së në Drenas së bashku me disa veteranë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve përmes një aksioni simbolik kanë shprehur sot solidaritet për luftetarët e lirisë të cilët po gjykohen në Hagë.
Siç shkruan deputeti i PDK-së Sejdi Hoxha, njëherit kryetar i kësaj dege në Drenas, ish-drejtuesit e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht dhe se Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë arkitektët e krijimit të shtetit të Kosovës.
”Presidenti Hashim Thaçi, Kryetari Kadri Veseli, si dhe bashkëluftetaret e tyre janë krenaria jonë, çlirimtarët, ideologët dhe arkitektët e krijimit të shtetit tonë të ri.
Kosova ka bërë një luftë të drejtë, të pastër, UÇK ka qenë e zotuar për respektim të Konventave Ndërkombëtare të Luftës gjë që është manifestuar në të gjitha komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja.
Kauza legjitime e luftës vetë-mbrojtëse, qëllimi fisnik çlirimtar dhe orientimi i qartë ideolgjik drejt vlerave perëndimore të UÇK-së për një shtet demokratik rezultoi me mbështetjen politike e ushtarake të NATO-së në krye me SHBA-të.
Pastërtia e luftës së UÇK-së është konfirmuar disa herë nga Drejtësia Ndërkombëtare, jemi të sigurt qe kjo do të ndodhë përsëri, njofton Klan Kosova.
Krenar me Ju çlirimtarë, ju presim ballëhapur dhe faqebardhë”.