Komunës së Ferizajit po i shtohen rastet me koronavirus çdo ditë dhe kjo ka ndikuar në marrjen e një vendimi të ri nga komuna duke përdorur një shkollë për trajtimin e personave të infektuar, përcjell InLajmi.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka njoftuar se ka rritur hapësirat për pacientët me koronavirus në këtë qytet pas shtimit të rasteve të reja.
Shkollën e papërdorur në Lloshkobare do të shfrytëzohet për pacientë, gjithashtu edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Neredime, do të shndërrohet në hapësirë për trajtimin e rasteve të infektuar me Covid-19.
Postimi i plotë i tij:
“Bashkëqytetarë të nderuar!
Për të menaxhuar me efikasitet, rastet në rritje me virusin COVID-19 në Ferizaj, në mbledhjen e sotme të Shtabit Emergjent Lokal morëm vendim:
Qendrën e Mjekësisë Familjare në Neredime, ta shndërrojmë në hapësirë për trajtimin e rasteve të infektuar dhe dyshuar me virusin COVID-19, të cilat referohen në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizaj;
Me hapësirën e re në QMF- Neredime rrisim kapacitetin në 50 shtretër shtesë për trajtimin e pacientëve;
Shkollën e papërdorur në Lloshkobare ta bëjmë gati si hapësirë alternative për trajtimin e pacientëve në rast rritjes së vazhdueshëm të kërkesës për hospitalizim;
Hapësirat e objektit të vjetër të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik të rregullohen tërësisht në afat optimal për nevojat e trajtimit shëndetësor të pacientëve të infektuar apo dyshuar.
Me këto zgjidhje, Ferizaj mbulon nevojat për hapësira shëndetësore, duke pasur mjaftueshëm, për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin COVID-19. Po kështu, edhe medikamentet, pajisjet e materialet tjera mbrojtëse janë të bollshme për trajtimin e rasteve.
Juve bashkëqytetarë ju mbetet zbatimi i formulës së thjeshtë: mbani maskën, respektoni distancën fizike e pastroni vazhdueshëm duart që të shmangni infektimin.“/InLajmi/