Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot nisën ditën me një vizitë në QKUK pas shtimit të rasteve me koronavirus, përcjellë InLajmi.
Pas vizitës, Zemaj ka publikuar një status në faqen e tij zyrtare në Facebook, teksa bën thirrje për mbajtje të higjienës, vendosjes së maskës dhe mbajtjes ë distancës.
“Qeveria e Kosovës dhe të gjithë ne po angazhohemi maksimalisht që të jemi të gatshëm për çdo skenar, ta menaxhojmë situatën, të ketë mjaftueshëm shtretër për pacientët në nevojë, staf shëndetësor ku tashmë do të jenë edhe specializantët e rinj, si dhe furnizim me barna. Për shkak të rrethanave të krijuara dhe rritjes së rasteve me Covid-19, ditëve të fundit është imponuar të ndërmarrim disa masa të reja, përfshirë këtu edhe pezullimin e përkohshëm të punës në objektin e ambulancave specialistike në QKUK, ku në vijim do të ofrohen vetëm shërbime shëndetësore për rastet emergjente”, ka shkruar Zemaj.
Tutje, ai shton se ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të votojnë pro Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Në këtë kontekst edhe njëherë i ftojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës që për interesin e qytetarëve ta votojnë “Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike”, në të cilin Qeveria ka paraparë edhe fondin rezervë për pandeminë.Ky ligj është shumë i nevojshëm për vendin dhe shëndetësinë tonë”, tha ai.
Ndryshe, nga ana tjetër Hoti e vlerësoi gjendjen me pandeminë si kohë lufte/InLajmi/