Sapo ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës ku fjalën e mori nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, raporton InLajmi.
Nagavci, tregoi se sot zëvendëson Rexhep Selimin, shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Shefi i grupit i parlamentar i LVV akuzohet nga një Gjykatë që i dha mandat ky Kuvend. Po flas në emër të kolegut tonë që na përfaqëson si Lëvizje, Rexhep Selimit, deputet i katër legjislaturave të Kuvendit, luftëtarit të UÇK-së.
Ne si Lëvizje edhe atëherë edhe sot jemi të bindur se UÇK-ja ishte dhe mbetet përpjekje e drejtë për çilirim, luftë e pastër. Ushtarët tanë kishin qëllime fisnike dhe ishin të prira nga ideale të larta.
Me ndihmën e shteteve mike luftuam edhe në krijimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Por sot, shefi i grupit parlamentar të LVV në vend që të na u drejtohej nga ky Kuvend ai u drejtua nga Gjykata Speciale.
E rëndë ishte data e 5 nëntorit dhe pamjet që pamë. Ne besojmë se lufta e drejtë për liri, nuk mund të njolloset dhe do të dëshmohet bindshëm nga z.Selimi me shokë. Dalfshi faqebardhë edhe nga ky proces”, tha Arbërie Nagavci nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.
Rikujtojmë se, deputeti Selimi gjendet në Hagë pasi akuzohet për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999./InLajmi/