Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet të shpallë sot një task-forcë këshilltarësh për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Biden e bëri të qartë në fjalimin e tij të fitores më 7 nëntor, se trajtimi i pandemisë do të jetë prioriteti kryesor i tij.


“Puna nis menjëherë”, tha Kate Bedingfield, zëvendësmenaxhere e fushatës së Biden, të dielën, për kanalin NBC.
Sondazhet e kryera gjatë zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit treguan se trajtimi i pandemisë nga ana e presidentit aktual, Donald Trump, është shqetësimi kryesor i shumë votuesve.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është gati 10 milionë.
Ekipi i Bidenit paralajmëroi se do të bëhen më shumë teste dhe se qytetarëve do t’iu kërkohet të veshin maska.
Përveç pandemisë, prioritete të Bidenit janë edhe rimëkëmbja ekonomike, barazia racore dhe çështja e ndryshimeve klimatike, thuhet në web-faqen e tij për tranzicionin, transmeton Periskopi.
Janë edhe rreth dhjetë javë deri në inaugurimin e Bidenit, më 20 janar. Kjo periudhë përfshin takimin e Kolegjit Zgjedhor në dhjetor, kur fitorja e Bidenit pritet të finalizohet.




















