Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese. Qeveria ka kufizuar orarin e punës për sektorin e gastronomisë, ku pas orës 21:00 u ndalohet funksionimi, përveç shërbimeve “Merr me veti (take away), e po ashtu personave mbi moshën 65 vjeçare u lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 6:00- 10:00 dhe 16:00-19:00.
E më të prekurit nga pandemia, vazhdojnë të mbesin sektori i gastronomisë të cilët kanë qenë të mbyllur për disa muaj.
Nga Shoqata e Gastronomëve thonë se masat e reja të vendosura nga Qeveria dëmtojnë edhe më shumë këtë sektor.
Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka thënë për Telegrafi se pandemia ka ndikuar negativisht, dhe se ndihma nga shtetit ka qenë shumë e vogël.
“Ndikimi ka filluar që në muajin mars. Ndikimi negativisht ka qenë më i madh se suporti apo çka do tjetër prej shteti. Çdo mbyllje që është bërë ka shkuar në dëm për biznese, edhe ndihma prej shteti ka qenë realisht asgjë, dhe shumë e vonuar sidomos kjo pjesa e fundit e pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Kjo ka qenë vetëm një lloj sociali dhe jo ndihmë për bizneset”, theksoi ai.
Zuka pohon se me orarin e ri që është vendosur për sektorin e gastronomisë, bizneset nuk do të munden më të përballojnë.
“Pra, mbyllja e fundit përveç sa filluam me u rimëkëmbë, kjo kthimi në ora 21:00 d.m.th është edhe një boks i fundit që nuk ma merr mendja që do të mundem me përballu më bizneset. Për këtë arsye në mbledhjen që e mbajtëm dje, erdhëm me kërkesat specifike për gastronomet. Mundet me u bë ndarja për bizneset tjera, por shuma e alokuar duhet me qenë specifikisht për gastronomët, që i bjen rimburësimi i pagave të punëtorët, ndihmë na qira 50%, problemin e bankave, me na lëshu kredi se nuk janë duke lëshuar kredi për gastronomët. Këto kërkesa do t’i adresojmë në Ministrinë e Financave, në Parlamentin, në Qeveri”, pohoi ai.
I pyetur se çfarë veprimesh do të ndërmarrin nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, Zuka paralajmëroi se do të vazhdojnë me protesta.
Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë (13 mars) e deri më tani me COVID-19 janë infektuar 20 mijë e 989 qytetarë, 15 mijë e 722 prej të infektuarve janë shëruar ndërsa betejën me COVID-19 e kanë humbur 705 qytetarë, shkruan Telegrafi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar se raste aktive janë 4 mijë e 562.