Ende nuk dihet si do të votojnë të infektuarit me COVID-19 në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e di se si do t’iu mundësohet votimi personave që mund të infektohen me COVID-19 para ditës së zgjedhjeve, e paraparë për datën 29 nëntor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pikërisht për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia ky institucion i ka dërguar dy shkresa në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai ka treguar se në njërën nga shkresat janë kërkuar udhëzime dhe këshilla për masat që KQZ-ja duhet të ndërmarrë në organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Ndërkaq, në shkresën e dytë, sipas tij, janë kërkuar udhëzime e këshillat nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike se si do të veprojmë me këta votues të cilët nuk do të mundet të shkojnë në vendvotimin e tyre edhe për shkak se duhet të jenë të izoluar.
“Anëtarët e KQZ-së kanë diskutuar për këtë temë në dy mbledhjet e fundit, prandaj kemi dërguar shkresën e dytë më specifike”, ka thënë Elezi i cili ka shtuar se “Meqenëse kjo është hera e parë që përballemi me situtatë të tillë të organizimit të zgjedhjeve në kohë pandemie, ndihma dhe këshillat profesionale të institucioneve shëndetësore janë të domosdoshme për KQZ-në”.
Po ashtu, Elezi ka thënë se janë në pritje të përgjigjeve nga këto institucione lidhur me këto çështje.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në çdo proces zgjedhor dërgon ekipe mobile, të cilët u ofrojnë mundësi qytetarëve me të drejtë vote që të votojnë pa shkuar në vendvotimin e tyre, përcjell Gazeta Blic
Sipas KQZ-së këto ekipe mobile shkojnë në adresa të caktuara në ditën e zgjedhje, si në shtëpi, spitale dhe burgje. Por, regjistrimi i këtyre personave bëhet shumë më herët para ditës së zgjedhjeve.