Përderisa në kryeqytet vazhdon të jetë numri i lartë i rasteve të reja me COVID-19, nuk planifikohet që procesi mësimor të kalojë të mbahet online.
Në komunën e Prishtinës që nga fillimi i vitit të ri shkollor, janë 85 nxënës që janë infektuar me COVID-19, ndërsa janë edhe mbi 45 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitivë. Megjithatë, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë vlerëson se gjendja me pandeminë është e menaxhueshme.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, bën të ditur se aktualisht janë 6 shkolla që procesin mësimor janë duke e mbajtur online.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKSHPK-në dhe në momentin që e kemi një nxënës të infektuar atëherë gjithë klasa po udhëzohet që të shkojë në mësimin online dhe kjo është ndoshta mënyra më e mirë dhe përhapja është më e ngadalshme për shkak të menaxhimit të përbashkët që jemi duke e bërë me IKSHPK-në. Për momentin mund të themi që është duke shkuar mirë, por ne jemi dëshmitar të rritjes së rasteve brenda ditës, nëpër shkolla janë duke u respektuar protokollet. Ne si DKA jemi çdo ditë në terren dhe i shohim që protokollet brenda shkollës respektohen”, thotë ajo.
Shala deklaron se janë mbi 85 raste të infektimit të nxënësve me COVID-19 dhe mbi 45 mësimdhënës. Pavarësisht kësaj ajo deklaron se situata në shkollat e kryeqytetit është e menaxhueshme dhe do të vazhdojë mbajtja e mësimit në objektet shkollore.
“IKSHPK bënë rekomandimet do të thotë për punën e shkollave dhe rastet të cilat janë brenda shkollës. Përderisa nuk kemi numër të madh të të infektuarve në shkollë atëherë mësimi duhet të vazhdojë, duke pasur parasysh rëndësinë e vijimit të nxënësve në shkollë. Kështu që, po mendoj për momentin është e menaxhueshme, në rast se ka rritje të mëdha të rasteve nëpër shkolla normalisht që duhet të mbyllet, mirëpo për momentin nuk kemi rritje të mëdha, po mund të menaxhohet edhe pa u mbyllur”, potencon ajo.
Sa i përket mosmarrjes pjesë në ligjëratat online, Shala thotë se edhe nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë gjë marrin mungesa.
“Tani mësimi online është i barasvlershme me mësimin në shkollë, secili mësimdhënës i cili mungon në mësimin online llogaritet mungesë si të ishte në objektin shkollor. E njëjta gjë është edhe për nxënësit, do të thotë mungesat të cilat fëmijët i bëjnë në mësimin online llogaritet që i bëjnë në shkollë, sepse aktualisht jemi në një situatë që në rast të infektimeve mësimi kthehet online nga mësimi i rregullt dhe ndjekja e mësimit është obligative dhe mungesat duhet të merren të njëjta si në shkollë”, thotë Shala.
E para e arsimit në kryeqytet thotë se në vazhdimësi janë përkujdesur që t’i furnizojnë nxënësit dhe mësimdhënësit që nuk kanë pasur pajisje teknologjike për mbajtjen e mësimit online.