Partia Demokratike në Prishtinë ka propozuar që qytetarët ta shfrytëzojnë trafikun urban pa pagesë, deri në marsin e vitit të ardhshëm, raporton InLajmi.
Nga kjo parti thonë se lirimi nga pagesa duhet të bëhet për 2 arsye, si shkak i nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe përhapjes së koronavirusit.
Asambleistja e PDK-së, Suzana Vuqitërna Kika potencoi se për vite me radhë Prishtina është renditur si qyteti i parë në botë me ndotjen më të madhe të ajrit.
“Ka një javë që vlerat e matësve të ajrit të vendosur në qytet tregojnë se ai është i pashëndetshëm. Ju rikujtoj që mbajtja e maskave për qytetarët e Prishtinës ka qenë ritual i zakonshëm sa herë kanë rënë temperaturat edhe para përhapjes së pandemisë Covid 19, pikërisht për shkak të ndotjes së ajrit. E këtë vit gjendja duket të jetë edhe më e rënduar. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish të ekspozuar ndaj ndotjes së rëndë të ajrit vuajnë nga sëmundje të identifikuara si sëmundje që rrisin ndjeshmërinë ndaj COVID-19”, shtoi ajo.
Prandaj, sipas saj ulja e ndotjes së ajrit mund të ndihmojë në uljen e ashpërsisë se virusit.”
Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu tha se PDK në Prishtinë duke e parë që qytetarëve po ju kanoset edhe një rrezik tjetër shëndetësor, ai i përhapjes së sëmundjeve respiratore ka menduar një zgjidhje me efekt të menjëhershëm, por që është edhe afatgjatë, ofrimin e shërbimeve të transportit publik falas nga muaji nëntor deri në muajin mars për të gjithë qytetarët e Prishtinës.
“Brenda ditës në Prishtinë hyjnë dhe dalin prej 70.000 – 100.000 vetura, të cilat emetojnë gazra ndotës në ambient. Nëse secila nga to shpenzon vetëm 2 litra derivate brenda qytetit, atëherë imagjinojeni sa litra derivate shpenzohen brenda qytetit në vetëm një ditë. Përveç emetimit të gazrave ndotëse, imagjinojeni shumën e parave që shpenzohen në derivate. Meqenëse bileta e autobusit aktualisht kushton 40 cent për një drejtim, pra 80 cent për vajtje-ardhje dhe familjet tona i kanë mesatarisht 4 anëtarë atëherë i bie që një familje të shpenzojë 3 euro e 20 cent brenda një dite për transport publik ose 96 euro brenda një muaji apo 384 euro për 4 muaj”, shtoi ai.
PDK në Prishtinë konsideron që implementimi i këtij projekti shkarkon trafikun e kryeqytetit, mbron ambientin, kursen kohën dhe xhepin e qytetarëve.