Shtetet e Bashkuara shënuan të enjten shifër rekorde të rasteve të reja me koronavirus: mbi 91,000 në 24 orë.
Shifra e tejkalon rekordin e mëparshëm prej 84,169 rastesh, të vendosur më 23 tetor.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, me afro 9 milionë raste në total dhe me mbi 228,000 viktima.
“Jemi në një trajektore shumë të vështirë. Po shkojmë në drejtim të gabuar”, tha drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci.
Rastet janë në rritje në 47 shtete dhe pacientët janë duke ngarkuar spitalet në të gjithë vendin, tha Fauci në një intervistë për kanalin televiziv CNBC.
Numri i pacientëve me koronavirus, të shtruar në spitalet e SHBA-së, ishte rreth 46,000 më 29 tetor, përcjell REL.
Në Evropë, shumë vende janë detyruar t’i forcojnë kufizimet për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.