Pas rritjes së rasteve me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka inspektruar lokalet te “Kafet e Vogla” në Prishtinë.
Ndaj atyre që nuk po i respektojnë rekomandimet anti-Covid, po merren masat përkatëse ligjore.
Të premten, Ministria e Shëndetësisë, ka paralajmëruar se Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të mblidhet nesër për të shqyrtuar propozimet e reja për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.
Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit vdiqën katër persona, të cilët ishin të prekur me Covid-19, ndërsa u konfirmuan 418 raste të reja, derisa u shëruan 67 pacientë.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të zbatojnë me kujdes të shtuar masat në fuqi lidhur me kontrollin e ituatës epidemiologjike rreth Covid-19, shkruan Telegrafi.
MSH kërkon nga prindërit që të mos i ekspozojnë fëmijët e tyre në rreziqe për shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të paralajmëruara nëpër rrjete sociale si ato për Halloween, duke e ditur faktin se janë në fuqi vendimet që ndalojnë grumbullime të qytetarëve dhe organizime të ngjashme.