Oda e Infermierëve të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj një tekniku të Klinikës së Radiologjisë.
Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka dënuar ashpër sulmin ndaj teknikut të radiologjsië B.R., që ka ndodhur në vendin e tij të punës, në Klinikën e Radiologjisë në QKUK.
“Në këtë kohë pandemie kur infermierët po rrezikojnë shëndetin e tyre për të qenë në ndihmë të pacientëve, çfarëdo sulmi ndaj tyre është i pa pranueshëm”, thuhet në njoftim.
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, thotë se ka kërkuar nga institucionet e ndjekjes që të marrin masa ndaj atyre që çojnë dorë në stafin mjekësor.
“Po ashtu, OIK kërkon që të krijohet një ambient i sigurt pune për personelin shëndetësor, jo vetëm në QKUK por në gjitha institucionet shëndetësore në vend”, thuhet tutje në njoftim, përcjell FaktePlus.
Një muaj më herët, në shtator, një infermier është therur me thikë në vendin e tij të punës.