Një total prej 352 makinave të vjedhura janë konfiskuar teksa kanë qenë në rrugë për destinacionin e tyre final, si rezultat i një operacioni të mbështetur nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL).
Në kuadër të këtij operacioni janë konfiskuar edhe 1,077 pjesë të vjedhura të makinave bashkë me dhjetëra dokumente të falsifikuara.
Në periudhën 12-24 tetor të këtij viti, është thënë se janë kryer rreth 44,548 kontrolle të bazave të ndryshme të të dhënave.
Operacioni i kërkimit, që është udhëhequr nga Agjencia Evropiane për Kufij (FRONTEX), është fokusuar në kontrollet nëpër pikëkalime kufitare dhe aktivitete tjera tokësore në 17 vende të Bashkimit Evropian dhe 5 shtete të rajonit të Ballkanit.
Vendet e përfshira në këtë operacion kanë qenë: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
“Në bashkëpunim të ngushtë me industrinë private, përfshirë industrinë e makinave, prodhuesit e anijeve, dhe kompanitë që japin makina me qira, bashkë me të dhënat e EUROPOL-it, zyrtarët për kontrolle kufitare në kufijtë e jashtëm të BE-së kanë parandaluar kontrabandimin e shumë makinave dhe anijeve më tej kufirit”, është thënë në një komunikatë për media të EUROPOL-it.
Aty është thënë edhe se aktivitetet e fokusuara në kontrollet e veturave dhe anijeve, kanë rezultuar edhe në kapjen e 2,965 migrantëve ilegalë në rrugë drejt BE-së, përmes rrugëve tokësore dhe ajrore, përcjell Gazeta Metro.
Si pasojë, 17 persona që kanë shërbyer si ndërmjetësues të kontrabandimit të migratëve janë lokalizuar dhe janë arrestuar.