Anëtarët e Komisionit për çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes kanë konstatuar se pala serbe nuk është duke i respektuar marrëveshjet që janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe së fundi në Washington.
Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku (LVV), pas vizitës në pikën kufitare në Merdar, ka thënë se përveç afrimit fizik ndërmjet policëve serbë dhe atyre shqiptarë në objektin e ndërtuar nga Komisioni Evropian, nuk ka asnjë bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.
Sipas saj, Serbia vazhdon ende ta konsiderojë këtë pikë kufitare vetëm si kufi administrativ.
“Sa i përket operacionalizimit të pikës kufitare në Merdare pas zotimeve/marrëveshjeve të katër Shtatorit, ajo çfarë vërehet është vetëm futja fizike më thellë e Shtetit Serb në territorin e Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër”, ka thënë ajo, teksa shtoi se nuk ka zbatim të marrëveshjeve.
“Nuk ka zbatim të marrëveshjeve të deritanishme në pjesën më të madhe dhe asnjë komunikim mes dy palëve”, thotë ajo.
Edhe anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se në Merdar nuk ka asnjë shenjë që sinjalizon se është Kosovë.
“Dhe nga pyetjet që i parashtruam, përveç këtij objekti që shihet se është i ri, nuk sheh asgjë të re, nuk sheh një bashkëpunim, këmbim të informatave e një zbatueshmëri të marrëveshjes siç është folur, marrëveshje së IBM-së”, është shprehur deputetja Musliu.
Ndërsa, Ilir Tasholli nga LDK-ja, ka thënë se është informuar nga përgjegjësi i kësaj pike se të gjitha veprimet që kryhen këtu, akoma janë sipas Marrëveshjes e Brukselit të nënshkruar më parë, përcjell EO.
“Sigurisht që Kosova tash është në proces të dialogut edhe duhet me pas edhe prej marrëveshjeve të fundit që janë arritur në Washington, do të duhej të dalin udhëzuesit dhe konform udhëzuesve të marrëveshjes për dialogun duhet të veprojmë. Nuk është një pikë e lehtë. Po shpresoj që në vazhdim të procesit të dialogut do të vazhdojnë përpjekjet për mbylljen edhe të temave të tjera, të cilat ende nuk janë të zgjidhura”, ka thënë ai.