Një numër i bujqve nga rajone të ndryshme të Kosovës të mbështetur nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës, kanë protestuar të martën para Ministrisë së Bujqësisë, për mos realizimin e kërkesave të tyre.
Kryetar i Federatës Sindikale të Bujqësisë, Tahir Tahiri, duke folur për keqpërdorimet në sektorin e bujqësisë ka kërkuar edhe kompensim të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore me 80%.
“Ne duam luftim të keqpërdorimeve, zhvillim të sektorit të bujqësisë dhe mbrojtje të bujkut dhe prodhimtarisë së Kosovës. Grantet dhe subvencionet e fermerëve po keqpërdoren. Të kompensohen të gjithë fermerët e dëmtuar nga kushtet klimatike e jo të selektohen disa. Të vendoset reciprociteti me vendet tjera të cilat nuk lejojnë prodhimet tona të shiten a po e dhe as të kalojnë në ato vende. Ministri ka premtuar që dëmet nga fatkeqësitë natyrore do t’i kompensoi me 25% të dëmit të vlerësuar, kjo për bujqit është shumë pak dhe nuk është ndihmë as minimale. Ne kërkojmë kompensim me 80% të dëmit të vlerësuar nga komisioni komunal”, ka thënë ai.
Derisa Tahiri ka shtuar se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen do të ketë protesta radikale.
Ndërsa, përfaqësues i bujqve të dëmtuar nga breshëri dhe shiu, Kreshnik Gjafolli, ka thënë se përmes kësaj proteste po kërkojnë kompensimin e shpenzimeve në mënyrë që vitin e ardhshëm të mos mbesin tokat e pa punuara.
“Jemi mbledhur këtu për të kërkuar ndihmë nga ministri për dëmet e shkaktuara nga breshëri dhe shiu, i cili dëmtoi produktet tona në fazën kur ato duhet të vileshin e të plasoheshin në treg. Ne po kërkojmë ndihmë në mënyrë që t’i paguajmë disa borxhe që na kanë mbetur në këtë vit dhe të mund të investojmë në vitin e ardhshëm. Me 25% të kompensimit të dëmeve ne nuk ndihmohemi, nuk ia dalim. Ne nuk kërkojmë fitimin total që mund ta kishim fituar, ne vetëm kërkojmë kompensimin e shpenzimeve në mënyrë që vitin e ardhshëm të mos i lemë tokat e pa punuara”, ka thënë ai, përcjell lajmi.net.
Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se këtë vit do të paguhen subvencionet 2 herë, derisa për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore ka theksuar se nuk kanë buxhet të paguajnë më shumë se 25%.