Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka takuar sekretarin e Bashkësisë Islame, Ahmet Sadriu dhe Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji, ku ka biseduar për pandeminë, përcjell InLajmi.
Zemaj tha se biseda me ta kishte të bëjë me menaxhimin dhe zbatimin e masave kundër Covid-19 në institucionet fetare.
Me këtë rast ai ka kërkuar nga qytetarët në veçanti besimtarët në institucionet fetare të kenë kujdes duke respektuar masat e ndërmarra nga Qeveria.
Postimi i plotë i tij:
Sot e nisa ditën duke i mirëpritur në zyrën time, sekretarin e Bashkësisë Islame, z. Ahmet ef. Sadriu dhe Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji, me të cilët biseduam për menaxhimin dhe zbatimin e masave kundër Covid-19 në institucionet fetare.
Shpreha falënderimin tim për angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ipeshkvisë, në përkrahje të institucioneve tona për ruajtjen e shëndetit publik në përballje me pandeminë Covid-19.
Së bashku, vlerësuam si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin midis institucioneve shtetërore, fetare dhe qytetarëve, me qëllim që të zbatohen masat anti Covid.
Apelojmë te të gjithë qytetarët në veçanti besimtarët në institucionet fetare të kenë kujdes duke respektuar masat e ndërmarra nga Qeveria, për të ruajtur shëndetin e të gjithëve nga virusi Covid-19./InLajmi/




















