Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka folur sot serish mbi mundësinë e dorëheqjes, pas skandalit të vjedhjes së më shumë se 2 milionë euro nga arka e shtetit.
Ajo nuk e ka parë të udhës të shkojë në shtëpi për paratë e shtetit që janë ‘avulluar’ këto ditë.
Dorëheqja nga kjo pozitë, siç tha ministrja, do t’i kontribuonte atyre që janë përfshirë në krimin e organizuar.
Këto komente Bajrami i bëri në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare, nga ku iu kërkua përgjegjësia nga deputetët e opozitës për skandalin e fundit në Thesar.
Zëvendëskryetari i Komisionit nga Vetëvendosje, deputeti Enver Haliti ka kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj personave të përfshirë në këtë rast në kuadër të ministrisë.
“Nuk mjafton vetëm të lirohet nga detyra një këshilltare e zëvendëskryeministres pse ka qëlluar që familjarët e saj janë pronarë të kompanisë që është dërguar transaksioni. Besoj që në përgjegjësi duhet të shkojnë edhe persona të tjerë”, tha Haliti.
Ministrja Bajrami tha se secili person i përfshirë në këtë skandal duhet të jep përgjegjësi dhe të merr dënimin e merituar.
“Tani nuk është që ndihem mirë që diçka e tillë ka ndodhur, nuk është që nuk më ka shkuar mendja që për shkak të përgjegjësisë morale edhe të jap dorëheqje. Mirëpo, dorëheqja ime do t’iu bënte favor vetëm atyre, të cilët janë të involvuar në këtë krim të organizuar, sepse do të isha unë ajo që do të merresha këtë përgjegjësi dhe do të merrja fajin. Në vend të kësaj, kam vendosur që të vë gjithë Ministrinë e Financave në dispozicion të organeve të drejtësisë për të ofruar informatat e nevojshme. Të gjitha informatat tash i kanë, krejt transaksioni gjurmohet nga BQK, Njësia e Inteligjencës Financiare. Me të vërtet besoj, shpresoj dhe pres që organet e drejtësisë do të kryejnë punën e tyre”, tha Bajrami, përcjell lajmi.net
Ndërsa, kryetari i Komisionit, deputeti Bedri Hamza duke kërkuar që ky rast të zbardhet sa më parë, ka kërkuar sqarime nga ministrja Bajrami se a kanë qenë në funksion hallkat e sigurisë.