NISMA Socialdemokrate me anë të një reagimi ka dënuar aktin kriminal të vjedhjes së mbi 2 milion eurove nga buxheti i Kosovës, përcjell InLajmi.
“NISMA Socialdemokrate jo vetem që distancohet, por është e pakompromis në luftën kundër krimit ndaj kujdo qoftë që zgjedh të përfshihet në veprime të tilla kriminale, pa dallime, qoftë votues apo anëtar i yni, të tillët nuk kanë vend në familjen tonë politike”, thuhet në komunikatën e partisë.
Tendencat për të njollosur partinë politike përmes veprimeve kriminale të individve është veprim i papërgjegjshëm që për qëllim nuk ka luftën kundër krimit, por dëmtimin e një subjekti politik, thuhet nga Nisma.
Nisma Socialdemokrate ju ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të angazhohen me vendosmëri të madhe dhe sa më shpejt që është e mundur t’i vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij krimi të rëndë financiar./InLajmi/