Para Gjykatës Themelore të Prishtinës ka folur avokati Veton Rrecaj, që është mbrojtës i të dyshuarit për skandalin e vjedhjes së 2 milionëve nga thesari i shtetit.
Para mediave, avokati Rrecaj ka thënë se Prokuroria ka paraqitur tendencat e saja që nuk janë të bazuara në prova.
Sipas tij, ishte vet ministrja Bajrami ajo që tha se mjetet janë të sigurta, teksa prokuroria po e thotë të kundërtën.
“Prokuroria i paraqiti i arsyet apo tendencën e saj për paraburgim mirëpo nuk paraqiti asnjë provë relevante. Kërkesa ishte e përgjithësuar dhe supozuar. I mbrojturi im dyshohet për një transaksion mbi dy milionë euro, e cila nuk ishte e bazuar. Ju e patë edhe ministren Bajrami që tha se paratë janë të sigurta, pra deklarata e të njëjtës është në kundërshtim të plotë për caktimin e masës së paraburgimit”, tha ai para mediave.
Në këtë kontekst, avokati Rrecaj tha se ka propozuar që edhe ministrja Hykmete Bajrami të pyetet se a janë kthyer mjetet, përcjell lajmi.net
“Jemi duke pritë vendimin. Ne kemi propozuar që të pyetet edhe zonja ministre se ku janë ato mjete nëse janë të sigurta. Ajo duhet të jap sqarime nëse janë bllokuar kontot, sepse Prokuroria po thotë që ato mjete nuk janë kthyer. Vendimi për paraburgim merret pas orës 15:00”, tha Rrecaj .