Prishtina vazhdon të jetë qyteti me numrin më të madh të të infektuarve nga COVID-19 tash e disa javë. Sot janë shënuar 72 raste pozitive. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se pret të rritet kontrolli, para një vendimi ndryshe për kryeqytetin.
Nga 124 persona të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit, 72 janë nga Prishtina.
Gazeta Express nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë mëson se momentalisht nuk do të ketë masa të reja në kryeqytet.
“Do të mbikëqyren institucionet lokale dhe qendrore në Prishtinë. Do të ketë shtim të mbikëqyrjes së respektimit të masave ekzistuese. Po ashtu do të shikohet a po respektohet qarkorja e shpërndarë nëpër institucione për reduktim të takimeve. Do të shtohen inspektimet në qytet. Do të mbikëqyret respektimi i masave aktuale”, ka thënë ky burim.
Ndërkohë, Express mëson po ashtu se pritet të ketë një takim ndërmjet kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të diskutuar rreth situatës me COVID-19 në vend.