Zv.ministri në ministrinë e Punëve të Brendshme, Zafir Berisha ka marrë pjesë Konferencën ndërkombëtare për Siguri Kibernetike të organizuar nga MPB dhe UNDP, përcjell InLajmi.
Në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Siguri Kibernetike ai tha se Interneti dhe teknologjitë e reja kompjuterike kanë sjellë ndryshime kolosale në ndërkomunikimin e një shoqërie globale. Transformimi i shkaktuar nga ky digjitalizim krijon varësi të reja.
“Interneti me hapësirën kibernetike është sistemi më i madh i krijuar ndonjëherë nga njerëzimi, me miliarda pajisje të lidhura, përmes lidhjeve të shumta komunikuese, e me miliarda përdorues që lidhen me laptopë, tabletë, telefona të mençur e pajisje të tjera digjitale” u shpreh Berisha.
Berisha para të pranishmëve njoftoi se Republika e Kosovës ka aprovuar ligjin për infrastrukturën kritike ku qëllimi i këtij ligji është për të ruajtur dhe mbrojtur infrastrukturën kritike kombëtare dhe evropiane, për të mbrojtur qytetarët, parandaluar incidentet dhe minimizuar dëmin potencial për infrastrukturën kritike, pasurinë e përgjithshme, humbjet ekonomike dhe sociale.
“Ministria e Punëve të Brendshme është duke hartuar projektligjin për siguri kibernetike. Qëllimi I këtij ligji do të jetë që të përcaktoj parimet e sigurisë kibernetike, institucionet që zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e sigurisë kibernetike, përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin ndërinstitucional, parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë në Republikën e Kosovës kundër çdo kërcënimi apo sulmi, si dhe themelon Autoritetin Shtetëror për Siguri Kibernetike”, shtoi ai tutje.
Republika e Kosovës do të sigurojë një mjedis të sigurt të hapësirës kibernetike, duke minimizuar dhe parandaluar kërcënimet kibernetike në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë./InLajmi/