Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në ora 13:30. Kjo mbledhje vjen vetëm një ditë pasi Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, u takua me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë KQZ’ja përmes një njoftimi drejtuar mediave, ku ka treguar edhe rendin e ditës për këtë mbledhje.
Rendi i ditës për këtë mbledhje është:
Hyrje – znj. Valdete Daka, kryesuese e mbledhjes së KQZ-së;
–Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes 38 dhe 39.
Aktivitetet e Sekretariatit të KQZ-së;
Njoftim lidhur me raportin e vlerësimit të materialeve zgjedhore dhe implikimet buxhetore pas shtyrjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës së Podujevës;
Raport i Këshillave të KQZ-së:
Këshilli për Çështje Ligjore
– Shqyrtimi dhe miratimi i interpretimit ligjor, lidhur me rekomandimin e Zyrës për Regjistrim e Partive Politike dhe Certifikim për publikimin e raporteve vjetore financiare të Partive Politike për vitin 2019.
– Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për regjistrim të partisë politike Yenilikçi Türk Hareket Partisi’ (YTHP).
– Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për ndërrim të logos të partisë politike Partia Socialdemokrate (PSD).
– Shqyrtimi dhe aprovimi i Udhëzimit Administrativ nr. 01/2020 për Publikimin dhe Përditësimin e Informatave në Ueb Faqen e KQZ-së dhe Procedurës për Publikimin dhe Përditësimin e informatave në Ueb Faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Të ndryshme;
Ndryshe, Thaçi ka takuar dje kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën.
Gjatë këtij takimi, ata kanë biseduar për mundësitë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut, përcjell Arbresh.info
“Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës kishte shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftimin për media.