Ka disa javë që dialogu po qëndron pezull pasi që Serbia është duke insistuar që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Këtë kërkesë të palës serbe po e kundërshtojnë në Kosovë. Koordinatori shtetëror për bisedime, Skender Hyseni ka paralajmëruar se datat e vazhdimit të bisedimeve për marrëveshjen e paqes do të publikohen së shpejti.
Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, është i bindur se asnjë marrëveshje, që do të diskutohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk do të nis të zbatohet nëse nuk ka njohje reciproke.
Hyseni ka thënë se në Bruksel po diskutohen elemente të marrëveshjes përfundimtare, e zbatimi i tyre do të nisë tek pas njohjes përfshirë edhe Asociacionin.
“Në rend të parë nuk dihet se çfarë do të përmbajë marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Sa i përket zbatimit të çfarëdo elementi të marrëveshjes ato zbatohen ekskluzivisht pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohje reciproke. Pra, aktualisht në Bruksel bisedohet për elementet e një marrëveshje të përgjithshme dhe secili nga ato elemente do të gjejë zbatim vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes, asnjë zotim tjetër nuk merret në Bruksel po që se nuk nënshkruhet marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke Kosovë-Serbi”, ka thënë Hyseni për arbresh.info.
I pyetur nëse Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, ai tha se pret që shumë shpejt të nisë ky proces.